Nisi në Prishtinë Sunny Hill Festival. Mijëra adhurues të muzikës nga Kosova dhe vende të tjera vërshuan drejt Bërnicës, zonës ku po mbahet eventi i përvitshëm në kryeqytetin e Kosovës.
Sipas KosovaPress, interesimi i madh ka krijuar kolona të gjata automjetesh në rrugët që çojnë drejt hapësirës së festivalit.
Kulmi i natës së parë ishte performanca e superyllit botëror Katy Perry, e cila u ngjit në skenën kryesore rreth orës 22:30 dhe dhuroi një spektakël të shoqëruar me efekte vizuale, koreografi dhe kostume me tematikë hapësinore.
Artistja amerikane u shfaq e veshur si astronaute, ndërsa akrobatët në skenë i dorëzuan flamurin e Kosovës, një moment që u prit me entuziazëm nga publiku dhe u bë një nga skenat më të komentuara të mbrëmjes.
“Përshëndetje Prishtinë! A do të festoni me mua?”, ishte përshëndetja e parë e Katy Perryt për mijëra të pranishmit, të cilët kënduan në kor hitet e saj gjatë gjithë koncertit.
Katy Perry valëviti flamurin e Kosovës në skenën e shndërruar në hënë.
Një tjetër moment i veçantë ishte takimi me Erën. Vajza 10-vjeçare realizoi ëndrrën e saj duke kënduar me yllin botëror Katy Perry.
Para performancës së saj, atmosferën e ndezi këngëtarja shqiptare Dhurata Dora, ndërsa festivali i organizuar nga Dua Lipa do të vazhdojë edhe gjatë fundjavës me performanca të artistëve të njohur ndërkombëtarë, përfshirë Lewis Capaldi dhe Martin Garrix.
(A2 Televizion)