
Pas një përvoje të gjatë në median e shkruar dhe atë televizive, gazetari Andrea Danglli i është bashkuar skuadrës së A2 CNN që këtë sezon vjen me një programacion të zgjeruar.
Me qëllim pasqyrimin 360 gradë të të gjitha zhvillimeve jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë, Dangllit i është besuar drejtimi i dritares së prime time në fundjavë ku do të trajtohen çështjet më pikante të javës.
Përmes një formati dinamik të ndarë në disa segmente, synohet përçimi tek audienca i të gjitha këndvështrimeve mbi ngjarjet kryesore të cilat kanë vëmendjen e momentit.
“Off the Record”, ka për qëllim të thotë zëshëm ato që kryesisht thuhen në prapaskenë, kur dritat e kamerave fiken, mikrofonat mbyllen dhe e vërteta merr kuptimin e vetëm të saj.
Me nisjen e sezonit të ri, shumë shpejt çdo të shtunë dhe të diel, programi ka për qëllim të sjellë anën tjetër të ngjarjeve përmes detajeve të reja, zërin e analizës dhe debatin publik ku vetë qytetarët do të jenë pjesë.
Duke sjellë eksperiencën e tij si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor në një sërë mediumesh të rëndësishme në vend, Danglli gjithashtu do të mbajë edhe pozicionin e drejtuesit të produksionit digjital në A2CNN.
Në përputhje me standardet ndërkombëtare të CNN, televizioni A2 partner ekskluziv në Shqipëri dhe Kosovë, do të nisë së shpejti sezonin e ri me një mbulim akoma edhe më të gjerë mediatik në rajon si edhe në kryeqytetet e vendeve fqinje ku prioritet i panegociueshëm mbetet vetëm vërteta. (A2 Televizion)