
Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, ka ndarë një postim në rrjetet sociale nga vizita e saj zyrtare në Kiev këtë javë.
Spiropali ka përshkruar realitetin e vështirë me të cilin po përballet Ukraina mes luftës dhe dimrit të ashpër, shkruan A2.
Në një rrëfim të shoqëruar me imazhe, Spiropali thekson se gjatë qëndrimit në kryeqytetin ukrainas ka parë lodhjen e thellë fizike dhe shpirtërore te qytetarët. Ajo përshkruan fytyra luftëtarësh me plagë të dukshme dhe të padukshme, familje që jetojnë mes mungesash, prindër të mbushur me frikë të përditshme dhe fëmijë që, sipas saj, po detyrohen të rriten më shpejt se mosha e tyre për shkak të rrethanave të luftës.
Ministrja Spiropali është nderuar nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I, një vlerësim që jepet për kontribute të veçanta.
Postimi i Elisa Spiropalit:
Në Kievin që përballet çdo ditë me sulme barbare në mesin e këtij dimri të egër, gjatë vizitës sime zyrtare në Ukrainë pashë nga afër lodhjen në trupat dhe shpirtrat e njerëzve. Pashë fytyra luftëtarësh që mbajnë plagë të dukshme e të padukshme. Familje që jetojnë me mungesa. Prindër që jetojnë me frikën e çdo ditë. Fëmijë që rriten më shpejt se mosha e tyre.
Brenda kësaj dhimbjeje dhe qëndrese të paepur, u nderova nga Presidenti Volodymyr Zelensky me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I.
Ky nder dhe kujtim i paharrueshëm, ma shtojnë përulësinë dhe përgjegjësinë. Për të folur, për të vepruar dhe për të qëndruar çdo ditë në shërbim të vendit tim dhe të vlerave që na bashkojnë.
(A2 Televizion)