15 vite nga vrasja e 4 protestuesve, Rama: Zbardhja e “21 janarit”, prova e drejtësisë së re

Nga Fjorela Beleshi
21 Janar 2026, 15:42 | Politikë

Familjarët e 4 viktimave të protestës së 21 janarit të 2011-ës dhe socialistët përkujtuan në bulevardin Dëshmorët e Kombit Ziver Veizin, Aleks Nikën, Hekuran Deden dhe Faik Myrtajn.

15 vite nga protesta e socialistëve, në atë kohë në opozitë, kundër qeverisë së Sali Berishës, familjarët presin ende nga drejtësia për të zbardhur çështjen, se kush i vrau të afërmit e tyre.

“15 vite ende pa drejtësi. Por nëse nuk ka drejtësi mos shikoni nga kjo godinë, por nga stacioni i trenit”, tha Rama.

Duke u rikthyer pas në kohë, kryeministri Edi Rama tregoi versionin e tij në lidhje me protestën e thirrur nga ai, duke e cilësuar si një tubim që nuk cenonte sigurinë e Berishës.

Ndryshe nga vitet e tjera në këtë 15 vjetor, 21 janari po hetohet nga SPAK, pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut. Për kryeministrin Rama kjo do jetë vula morale e drejtësisë së re.

Para selisë së qeverisë, edhe xhaxhai i Aleks Nikës i bëri thirrje SPAK dhe GJKKO që të zbardhin se kush e vrau nipin e tij.

Për çështjen e 21 janarit kanë dhënë dëshminë e tyre në SPAK, ish-kryeministri Sali Berisha, ish-presidenti Bamir Topi dhe ish-ministri i Brendshëm i asaj kohë Lulzim Basha.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos