
Dy orë para nisjes së protestës së opozitës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, kreu i Partisë Demokratike u ka bërë thirrje të rinjve që të ngrihen në lartësinë e këtij misioni. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i selisë blu iu drejtohet të rinjve se sot është shansi për të rikthyer shpresën, besimin, lirinë, të drejtat e tyre dhe të shqiptarëve.
“I bëj thirrje të rinjve të ngriheni në lartësinë e këtij misioni. Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve”, shprehet Berisha.
Më herët kreu demokrat përcolli një tjetër mesazh te qytetarët duke e cilësuar protestën e sotme si ditën e ngadhënjimit mbi të keqen që ka mbërthyer Shqipërinë.
“Sot është dita e guximit qytetar. Dita kur populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit, kryeministrit të lidhur me banditë, trafikantë dhe vrasës. Është dita e ngadhënjimit mbi të keqen që ka mbërthyer Shqipërinë”, u shpreh Berisha.
(A2 Televizion)