“20 shkurti ishte triumf”, Gazi në PD, Berisha kërcënon Ramën: Sulm asgjesues ndaj godinave të PS

Nga Anesti Barjamemaj
21 Shkurt 2026, 17:51 | Politikë

Sali Berisha zgjodhi që të fliste me qytetarët e jo me gazetarët pas protestës së 20 Shkurtit. Nga zyra e tij në selinë e Partisë Demokratike, Berisha për gati një orë iu përgjigj pyetjeve qytetarëve, anëtarëve por edhe zyrtarëve të PD-së që e pyesnin në mediat sociale duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që iu bashkuan thirrjes së tij, ku siç tha u përballën dhëmbë për dhëmbë me policinë.

“Tipari më kryesor i 20 shkurtit 2026 ishte se të rinjtë dhe adoleshentët, u bënë me qëndresën e tyre, guximin, trimërinë e tyre, tmerri i regjimit dhe fytyra e vërtetë e bukur e opozitës, e kryengritjes”, tha Berisha, shkruan A2.

Deklaratave të policisë për hedhjen e molotovëve, Berisha nuk iu përgjigj direkt vetë, por përdori dëshminë e prindit të një adoleshenti që prej mbrëmjes së të premtes është në komisariat: “Djali ka qenë duke ngrënë sufllaqe bashkë me kushëririn e vet 14 vjeç. Kanë qenë duke ardhur këtej nga krahu i Lanës, sa kanë kaluar shkollën Ismail Qemali. Tek Ura e Tabakëve. Kanë pasur çantën e shpinës të shkollës me gjithë librat. Ka ardhur njëri dhe ua ka futur në çantë”.

Teksa gazi lotsjellës përgjatë gjithë betejës me policinë përfshiu edhe selinë e Partisë Demokratike, për Berishën ky ishte një agresion i hapur ndaj pluralizmit, ndaj i dha këtë paralajmërim Edi Ramës: “Por në përshkallëzimin e tyre të djeshëm në një akt urrejtje të papërmbajtur janë hedhur në oborrin e selisë së PD sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe bomba tymuese. Ky përbën një agresion të hapur ndaj selisë së PD dhe pluralizmit. Me këtë rast u kërkoj të gjitha degëve të bëjnë rikonjicionin e plotë të selive të PS në çdo rreth. Dhe garantoj Edi Ramën se sulmet ndaj selisë së PD do të sjellin sulme asgjësuese për selitë e partisë së krimit në të gjithë territorin e vendit”. 

Edi Ramën e quajti sërish “kufomë politike” dhe përsëriti thirrjen për protesta dhe qëndresë në shesh. Në këtë komunikim me qytetarët, lideri demokrat ftoi sërish të gjithë opozitarët të bashkohen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos