
Presidenti Bajram Begaj ka përkujtuar sot 27-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO në Kosovë, një moment historik që i dha fund regjimit të Slobodan Millosheviçit dhe hapi rrugën drejt lirisë dhe paqes në rajon.
Në një postim në X, kreu i shtetit, e cilësoi atë si një ndër momentet më të rëndësishme për Kosovën dhe stabilitetin në Ballkan, ndërsa shprehu mirënjohjen ndaj SHBA-së dhe aleatëve.
“Sot shënohet 27-vjetori i ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër regjimit shtypës të Millosheviçit, një fushatë që përfundoi me sukses, duke sjellë lirinë në Kosovë dhe paqen që gëzojmë në të gjithë rajonin sot. Shqipëria mbetet, sot dhe gjithmonë, thellësisht mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të NATO-s”, shkruan Begaj.
Kujtojmë se sulmet filluarn në orën 19:45 të 24 marsit 1999, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë.
Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe, mijëra civilë shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre, dhe mijëra të tjerë u vranë ose u zhdukën si pasojë e operacioneve të forcave serbe. (A2 Televizion)