Të ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Lisand Hoxha dhe politologu Afrim Krasniqi, ndër të tjera, folën për reformën e 2008 dhe për domosdoshmërinë e ndryshimit të Kodit Zgjedhor.
Lisandër Hoxha, u shpreh se sistemi aktual politik në Shqipëri është produkt i ndryshimeve të vitit 2008, të cilat sipas tij u konceptuan për interesa të brendshme politike.
Sipas Hoxhës, ndryshimi i Kodit Zgjedhor në atë kohë lidhej drejtpërdrejt me strategjinë e Edi Ramës për të marrë kontrollin e Partisë Socialiste dhe për të sjellë figura të reja në parti.
“Secila nga rastet konkrete janë derivat i një sistemi politik të konceptuar në vitin 2008 nga të dyja palët, por e propozuar nga Edi Rama, sepse nuk kishte rrugë tjetër për ta kapur PS-në,” u shpreh Hoxha.
Ai shtoi se, në atë periudhë, Rama nuk kishte fuqi të mjaftueshme politike dhe u detyrua të ndërmarrë ndryshime në sistem për të reformuar partinë.
“Për t’i çmontuar këta, për të futur rilindasit, u detyrua të vinte një kusht dhe u ndërrua Kodi Zgjedhor,” tha ai.
Hoxha theksoi se pa ndryshimin e këtij kodi nuk mund të ketë reformim real politik në vend.
“Në momentin që nuk ndryshon ky Kod Zgjedhor, u kërkoni kot personazheve publike, intelektualve, që s’i quaj intelektualë…këtu ka rezidentë dhe qytetarë”! deklaroi Hoxha.
Nga ana tjetër, analisti Afrim Krasniqi kundërshtoi këtë interpretim, duke theksuar se ndryshimet e vitit 2008 nuk ishin iniciativë e vetme e Ramës, por një proces i përbashkët.
Sipas Krasniqit, reforma kishte për qëllim eliminimin e fenomenit të njohur si “dushku” dhe ishte e mbështetur edhe nga ekspertë ndërkombëtarë.
“Nuk ka qenë një propozim i zotit Rama. Ka qenë i përbashkët… madje i një konsulenti jashtë,” tha ai.
Ai shtoi se problemi kryesor nuk qëndron te sistemi zgjedhor, por te një dispozitë kushtetuese që lidhet me shkarkimin e kryeministrit.
“Pika që ka bërë dallimet dhe që pretendoj që është gabimi me i madh për të cilin nuk flet askush është një nen tjetër. Është neni ku ndalohet shkarkimi i kryeministrit me 71 vota për të hyrë në negociata për kryeministër të ri”, tha politologu.
“Ti sot nuk e shkarkon dot kryeministrin edhe sikur të kesh 72 vota, nëse nuk voton një emër tjetër. Ky është neni që e ka bërë të pushtetshëm kryeministrin,” u shpreh Krasniqi. (A2 Televizion)