Gazetari Roland Qafoku ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe raportet e opozitës me ndërkombëtarët duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN.
Qafoku theksoi rëndësinë e mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë për opozitën, duke nënvizuar se pa këtë mbështetje, Partia Demokratike nuk ka rrugëdalje politike.
“Pa mbështetjen e SHBA-ve dhe të BE-së ju (PD), jo në pushtet, por nuk keni asnjë rrugëdalje. Në momentin që pamë që diçka po lëvizte, erdhën deputetë gjermanë, erdhi ministri i Jashtëm, dhe në momentin që pamë diçka po lëvizte, edhe vetë z. Sali Berisha, që është non grata nga SHBA dhe Britania, erdhi e takoi një personalitet të Gjermanisë,” u shpreh ai.
Sipas Qafokut, deklaratat e mëvonshme të Berishës ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian ishin të gabuara në planin diplomatik dhe strategjik.
“Bëri një deklaratë Berisha dhe e shpall armik Gonzaton, kreun e delegacionit të BE! Nuk vë në diskutim pretendimet që ju mund të keni, por në aspektin diplomatik, edhe strategjik të PD-së, i ngritët topin PS-së aq bukur, saqë Edi Rama thjesht duhet ta gjuante në fushën tuaj,” deklaroi Qafoku.
Ai nënvizoi se veprime të tilla i japin avantazh mazhorancës dhe dobësojnë pozitën e opozitës në raport me ndërkombëtarët. (A2 Televizion)