27-vjet nga ndërhyrja ushtarake, Berisha thirrje për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Nga A2 CNN
24 Mars 2026, 12:58 | Politikë

27-vjet nga ndërhyrja ushtarake, Berisha thirrje për

Në 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit, Sali Berisha ka bërë thirrje që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s.

Në një konferencë për mediat nga selia blu, ai theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të forconte paqen dhe stabilitetin në rajon, duke e cilësuar si një mesazh të qartë edhe ndaj politikave të Vladimir Putin.

Berisha vlerësoi ndërhyrjen e aleancës si vendimtare për çlirimin e Kosovës dhe shprehu mirënjohje ndaj SHBA-së dhe ish-presidentit Bill Clinton për rolin në këtë proces.

Deklarata e plotë e Berishës

Sot është një datë e shënuar në historinë kombëtare të shqiptarëve, por një datë e shënuar edhe në historinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, aleancës ushtarake politike më të fuqishme të kohërave.

Si sot 27 vite më parë, Aleanca ndërmori ofensivën ajrore më të fuqishme pas Luftës së Dytë Botërore kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit, gjenocidit serb në Kosovë dhe bëri të mundur me sulmin e saj çlirimin e Kosovës nga pushtuesi barbar serb.

Ndaj dhe sot çdo shqiptar përulet me mirënjohjen e pakufishme për Aleancën e Atlantikut të Veriut, për komandantin, heroin kombëtar të shqiptarëve, presidentin Bill Klinton që udhëhoqi me aq vendosmëri si president i SHBA, Aleancën në atë betejë, më të fuqishme për lirinë, të drejtat njerëzore dhe çlirim kombëtar.

Sot, thirrja ime për Aleancën e Atlantikut të Veriut, SHBA, qeverinë është pranimi i Kosovës si anëtare e NATO-s.

Kosova e lirë është një nga rezultatet më madhore e historisë së NATO-s.

Kosova anëtare e NATO-s është vendi më i merituar i kësaj republike, por edhe në rrafshin gjeostrategjik, kufiri i NATO-s duhet të jetë kufiri i Kosovës në këtë zonë.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO është një mesazh i kufirit tek thana për Putinin dhe ambiciet e tij në Ballkan.

Është një kundërpërgjigje e shkëlqyer që u jepet ndërprerjeve të pandërprera destabilizuese, ambicieve të hershme imperiale që përfaqëson sot Vladimir Putin.

Ndaj dhe uroj që Aleanca në këtë përvjetori të konsiderojë mënyrën më serioze anëtarësimin e Kosovës në gjirin e kësaj aleance, e cila është një aleancë politike dhe ushtarake, por sot në rrafshin politik, Kosova është frymëzim për të gjitha vendet e rajonit pasi funksionimi i demokracisë dhe ekonomisë së tregut në Kosovë janë më të garantuara se në çdo vend tjetër.

I bëj thirrje Kongresit të SHBA të shqyrtojë në mënyrën më të vendosur anëtarësimin e Kosovës në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

PD, këtë nismë, nëpërmjet përfaqësuesve të saj në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do ta çojë më tutje.

Ne besojmë se Kosova anëtare e NATO-s është një kontribut dhe më i madh për paqen, stabilitetin në rajon, për sigurinë e rajonit dhe të hapësirës euroatlantike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos