
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, tha se PS nuk ka ende një qëndrim lidhur me 4 skenarët për Reformës Territoriale. Ai theksoi se po analizohen modele të ndryshme që i referohen specifikave dhe sfidave me të cilat përballet Shqipëria.
Duke iu përgjigjur gazetares së ACNN Fjorela Beleshi, Demo tha: “Janë diskutuar modele të ndryshme, s’ka një qëndrim nga PS. Ne duhet të ecim përpara me procesin. Jemi duke analizuar modele të ndryshme që s’i kemi shpikur vetëm ne. I referohemi specifikave dhe sfidave të Shqipërisë. Nuk ka një qëndrim. Janë diskutuar në parim disa nga kolonat kryesore ku kjo reformë duhet të mbështetet”.
Te skenari i parë bashkitë e vogla bashkohen me fqinjet më të mëdha, ndërsa në skenarin e dytë parashikohen bashki të mëdha në shkallën e ish-rretheve. Në skenarin e tretë forcohet roli i qarkut me zgjedhje të drejtpërdrejtë, ndërsa në skenarin e katërt krijohen katër rajone strategjike.
Një nga objektivat kryesore të kësaj reforme nga socialistët thuhet se është bërja e bashkive efikase. (A2 Televizion)