“40 muaj punë e agjendë intensive reformash”, Balla: Të gatshëm të bashkëpunojmë me opozitën për Kodin Zgjedhor

Nga A2 CNN
16 Janar 2026, 13:37 | Politikë

“40 muaj punë e agjendë intensive reformash”, Balla:

Në mbledhjen e parë për vitin 2026 të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryetari i grupit, Taulant Balla, u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me opozitën për kodin zgjedhor dhe ndarjen administrative-territoriale, duke theksuar se prioriteti kryesor mbetet rruga europiane për çdo qytetar shqiptar.

“Mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur kurrë. Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ata për çështje të rëndësishme, për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, ndarje administrative-territoriale funksionale dhe gjithçka tjetër. Por ata duhet ta fiksojnë mirë në mendje: vëmendja jonë është te Pasaporta Europiane për çdo qytetar shqiptar, brenda kësaj dekade. Ne e dimë që rezultatin zgjedhor apo fitoren nuk e vendos asgjë tjetër, përveç vullnetit të zgjedhësve”, u shpreh Balla.

Gjatë fjalës së tij, Balla deklaroi se Shqipëria synon mbylljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027 dhe finalizimin e anëtarësimit në vitin 2030. Ai theksoi se 40 muajt në vijim do të jenë vendimtarë dhe kërkojnë angazhim maksimal nga 83 deputetët e mazhorancës, me një agjendë intensive reformash në Kuvend.

“Angazhimi i 83 deputetëve të mazhorancës për përmbushjen e këtyre objektivave gjatë 40 muajve në vijim. Nevoja për ditë të gjata pune në komisione dhe seanca plenare për shkak të numrit të madh të ligjeve që lidhen me integrimin europian. Zbatimi i procedurës së përshpejtuar për ligjet që lidhen me përafrimin e legjislacionit me BE-në".

Ai paralajmëroi edhe ndryshime në Rregulloren e Kuvendit për rritjen e efektivitetit të kontrollit parlamentar dhe forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit.

“Nevoja për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit për rritjen e efektivitetit të kontrollit parlamentar. Përgjegjësia e Kuvendit për kontrollin e zbatimit të vendimeve të GjEDNJ lidhur me ngjarjet e 21 Janarit. Domosdoshmëria e përfundimit të Reformës Zgjedhore dhe Reformës Administrative Territoriale përpara zgjedhjeve vendore 2027”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos