
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se kryeministri Edi Rama "është autori i vërtetë që ka organizuar dhe urdhëruar hakerimin e SPAK-ut dhe dosjeve në SPAK".
"Sot, para jush dhe shqiptarëve, paraqes faktin tronditës, paraqes dokumentin që dëshmon se kreu i organizatës kriminale, Edi Rama, njëheraz padrino i të gjithë mafies shqiptare, është autori i vërtetë që ka organizuar dhe urdhëruar hakerimin e SPAK-ut dhe dosjeve në SPAK. Ju lutem, dëgjojeni.
Përshëndetje Doktor. Një informacion të veçantë. Tek dosja e hakerimit të sistemit të SPAK-ut, hakeruesi përmend emrin e Ramës si personi që mund të ketë urdhëruar hakerimin.
Pjesë nga dosja:
Me datën 12 shkurt 2025, ora 21.17, Arnold Rrokaj i dërgon Zambak Gjonit një foto që duket si faqe interneti nga e cila mund të aksesohen sistemet e SPAK-ut.
Më pas ai i dërgon një SMS me përmbajtjen ‘ah mos e hapsha dot’. Më tej Arnold Rrokaj i dërgon sërish një SMS Zambak Gjonit, ‘se do t’i shkruaj Rramës dhe hajt t’ua bëjmë robt’.
Pra, Arnold Rrokaj e kishte numrin e Ramës.
Dhe Arnold Rrokaj sapo të hapte faqen, do i dërgonte Ramës të dhënat e faqes, hajt t’u bëjmë këtë dhe atë, me gjuhën e Lubisë, se këtë gjuhë kishin ata me njëri-tjetrin, jo pallosh e kështu e ashtu.
Nga përmbajtja e këtij komunikimi, krijohet bindje e arsyeshme se veprimet e të hetuarit kanë të bëjnë me ndërhyrje të paautorizuar në sistemet e SPAK-ut, me qëllim dëmtimin e tyre përmes shpërndarjes së tyre tek persona të tretë.
Duke ia dërguar Ramës dokumentet, atij do ia dërgoj, thotë.
Në vijim, me datën 21 shkurt, pra 10 ditë më vonë, i hetuari Zambak kërkon informacion edhe për arrestimin e shtetasit Engjëll Agaçi.
Pra, Engjëll Agaçi kishte urdhër-arresti nga Antimafia Italiane apo shkaqe të tjera.
Arnoldi shprehet: Ja ta shikoj njëherë, po ç’rëndësi ka kush prokuror e ka, nga këta që kam unë, nuk e ka njeri.
Se këta i paskan pasur të ndarë prokurorët se cilët do të hakerojnë", tha Berisha, shkruan A2.
"Pra, besoj se edhe unë e kam denoncuar pa pasur asnjë dokument, dhe u kam deklaruar këtu se përfitues nga hakerimi ka qenë Edi Rama, një gjykatës, Ergys Agasi dhe e kam listën aty se kush kanë qenë porositësit e tyre. Tani del fakt, nuk ka asnjë rëndësi, se Arnold Rrokaj do t’i raportonte direkt Ramës. Pra kishte numrin e kryeministrit dhe do i jepte sihariqin e parë atij për faqet që kishin hakeruar. Ky përbën një nga krimet më të shëmtuara dhe më të rënda. Ky është implikim madhor i Edi Ramës dhe unë kërkoj dorëheqjen e tij urgjente. Të dashur qytetare dhe qytetarë, shikoni pra se si kreu i organizatës kriminale të ekzekutivit shqiptar kërkonte të vidhte dokumentet sekrete të hetimit vetëm e vetëm që të mund të kontrollonte këtë proces në mënyrat e tij. E dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal. Edhe njëherë kërkoj largimin e menjëhershëm nga detyra të kryeministrit. Sikundër u bëj thirrje shqiptarëve të marrin në dorë fatet e ligjit dhe Kushtetutës në këtë vend sepse Edi Rama po kërkon t’i shkelmojë, t’i nënçmojë, t’i përdorë ato për qëllime krejtësisht kriminale të vetat", shtoi Berisha. (A2 Televizion)