Rama: Ligjet e integrimit nuk diskutohen, por miratohen

Nga A2 CNN
16 Janar 2026, 12:21 | Politikë

Kryeministri Edi Rama deklaroi se ligjet që lidhen me procesin e integrimit europian nuk duhet të diskutohen në Parlament, por të miratohen, pasi ato janë pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka marrë në negociatat me Bashkimin Europian.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, Rama theksoi se Shqipëria ka lirinë të negociojë me BE-në, por jo të ndryshojë apo debatojë draftet ligjore që vijnë si pjesë ligjore europiane. Sipas tij, këto ligje negociohen me Komisionin Europian, i imponohen qeverisë dhe më pas i paraqiten Parlamentit për miratim.

“Kemi patur deri më sot disa raste që procesi i diskutimeve dhe miratimit të ligjeve që kanë të bëjnë me BE është vonuar apo është marrë lehtë si proces ku kemi lirinë të fusim duart sipas opinioneve tona. Nuk e kemi këtë liri, kemi lirinë të negociojmë me BE-në, po jo të diskutojmë. Negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizmin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit europian negociohet me komisionin, i imponohet qeverisë dhe vjen në parlament. Kur vjen në parlament duhet miratuar jo diskutuar, që t’i hyjmë diskutimit të një ligji duhet të diskutojmë a duam të hyjmë në BE apo jo”, u shpreh Rama përcjell A2 CNN..

Rama kritikoi krahasimet me vendet e tjera të BE-së, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të kërkojë të ketë të njëjtat standarde pa qenë ende pjesë e Unionit.

“Dhe këtu kam një shembull. Shumë bëjnë gabimin që nuk duhet bërë, marrin një draft që vjen nga qeveria dhe i referohen vendeve të tjera të BE, dhe thonë pse ta bëjmë ne kur ata nuk e kanë. Këtë po e ndaj me ju si eksperiencë dhe ju ftoj të jeni të gjithë të përthyeshëm në këtë pikë. Se kur thoni duam ta bëjmë si Franca, përgjigjja është e thjeshtë, duhet të jeni Franca, nuk ju kemi kërkuar ne, jeni ju që keni kërkuar, por për ju kemi kushte nëse doni. Nëse s’doni mund ta bëni si të doni. Kjo nuk ndodh vetëm me Shqipërinë. Procesi ka sjellë rëndim të kushteve për ata që kanë ardhur më pas”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos