Pesë spitale të tjera, përvec atij të Fierit, do të gëzojnë autonominë manaxheriale. Listës i shtohen QSUT në Tiranë, si dhe spitalet rajonale të Vlorës, Shkodrës, Durrësit dhe Lezhës. Në ceremoninë e dorëzimit të certifikatave përkatëse, ishte edhe Kryeministri Rama, që pohoi se transformimin e sistemit shëndetësor e kishte dëshmuar si pacient.
“Ne jemi në një stad krejt tjetër dhe këtë unë mund ta konfirmoj edhe si pacient i QSUT”. Përtej eksperiencës personale, pacienti Edi Rama, ka edhe dëshmi të tjera brenda ekipit qeveritar, për transformimin e sistemit shëndetësor.
“Ministri i Jashtëm bëri një operacion në spitalin e ri të sëmundjeve të brendshme dhe më shkruan mesazh që, “nuk e besoj dot akoma që ky është spitali ynë në Tiranë. Kështu dëshmojnë shumë njerëz që kanë kaluar nga ai spital i cili është padyshim për nga kushtet, por unë mund të them edhe nga ekspertiza e mjekëve aty, ndër spitalet e mira të Europës”.
Sipas kryeministrit, nuk ka më arsye pse qytetarët t’i drejtohen spitaleve private.
“Kushtet sot në spitalin e sëmundjeve të brendshme apo në disa struktura të tjera publike janë të pakrahasueshme me strukturat më të mira private ndërkohë që mjekët janë po ata”.
Me shtrirjen e autonomisë edhe në QSUT, si dhe në spitalet rajonale të Vlorës, Shkodrës, Durrësit e Lezhës, synimi është aplikimi i praktikës së dyfishtë për mjekët.
“Për të ofruar shërbim përtej orarit të punës, të shfrytëzojnë spitalin, të shfrytëzojnë të gjithë aparaturat dhe kushtet e spitalit për të ofruar një shërbim ekstra i cili është një shërbim me pagesë, ku 70% të pagesës do t’i marrin mjekët, do t’i marrë mjeku dhe 30% do t’i mbetet spitalit”.
Autonomia menaxheriale do të pasohet nga ajo financiare e spitaleve.
“Dhe do të vendosin ata si të ishin një strukturë e pavarur, se si do të shpenzohen fondet se cilat sasi, të cilave medikamente do të porositen dhe në të njëjtën kohë se si do të shpërblehen ekstra nga të ardhurat e spitalit, mjekët sipas një protokolli shumë të qartë”.
Rama tregoi se mjekët e larguar në Gjermani po mendojnë të kthehen, ndërsa garantoi se vëmendja e Qeverisë së tij ndaj bluzave të bardha do të vijojë. (A2 Televizion)