
Deputeti Fatmir Mediu, nga një seri takimesh në Departamentin e Shtetit të SHBA dhe Asamblenë Parlamentare të NATO-s, theksoi domosdoshmërinë e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes në 5% dhe forcimin e NATO-s.
Ai paralajmëroi për rrezikun e uljes së pranisë në KFOR, në një kohë kur rritet ndikimi i Rusisë dhe Kinës në Ballkan.
“Takimi i parë u zhvillua në Departamentin e Shtetit, ku Asistent Sekretari i Shtetit për Europën dhe Azinë, z. Brendan Hanrahan, prezantoi qëndrimin e SHBA dhe Presidentit Trump për forcimin e NATO-s. Së pari, rritja e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% si një domosdoshmëri jetike për Aleancën dhe sigurinë. Së dyti, krijimi i një mbështetjeje të fortë të këtyre shpenzimeve nga industria e mbrojtjes, zhvillimi i shpejtë i saj, si dhe nevoja që Europa të zhvillojë një industri mbrojtjeje që të garantojë nivele të larta operacionaliteti dhe ndërveprimi, duke hequr dorë nga politikat proteksioniste që dëmtojnë bashkëpunimin dhe forcimin e Aleancës. Ai ritheksoi fjalën e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio se SHBA duan një Europë të fortë”, bën me dije Mediu në rrjetet sociale në lidhje me takimet.
“Gjatë bashkëbisedimit e pyeta Ndihmës sekretarin Hanrahan për angazhimin e SHBA në Ballkan, për bashkëpunimin në shpenzime të përbashkëta të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere, për të rritur bashkëpunimin politik, deterrencën ushtarake dhe investimet amerikane në Ballkan. Po ashtu, pyeta për shqetësimin e një grupi kongresmenësh drejtuar Sekretarit Rubio për reduktimin e prezencës ushtarake në KFOR, ndërkohë që Serbia jo vetëm ka rritur shpenzimet ushtarake, por ka mbështetje nga Rusia dhe Kina, siç ishte dhe rasti i fundit i blerjes së raketave me natyrë tërësisht ofensive”, vijon postimi. (A2 Televizion)