Salianji për Ramën e Berishën: Janë pronarë të partive. Spak ka hapur rrugën për një situatë të re politike

Nga A2 CNN
18 Mars 2026, 16:40 | Politikë

Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, gjatë një takimi me intelektualë dhe pedagogë,  tha se kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Sali Berisha përfaqësojnë të njëjtin model autokrat, duke i cilësuar si “pronarë” të partive politike.

Ai theksoi se politika në vend po ushtron presion mbi drejtësinë, veçanërisht ndaj SPAK, por shtoi se ky institucion po reziston dhe po krijon një kulturë të re në luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

Gjatë fjalës së tij, Salianji kërkoi një rregullim ligjor për mënyrën e funksionimit të brendshëm të partive politike, duke argumentuar se sistemi aktual favorizon përqendrimin e pushtetit në duart e kryetarëve.

SPAK që ka hapur rrugën duke goditur korrupsionin, pa diskutim dhe krimin dhe po sjell ndryshim gradual kulturor në lidhje me përgjegjësin para ligjit është në një sulm nga palët politike. Shumë mendojnë se më shumë duhet të bëjë SPAK, por po i reziston presioneve politike.

Në shumë raste, për shkak të bllokimit të sistemit dhe mos pasjes së zgjedhjeve mund të jetë mundësi për qarkullimin e elitave. Do doja të diskutonim për demokracinë e brendshme të partive politike. Duhet të jetë rregullim ligjor si funksionojnë partitë politike.

Duket sikur dy kryetarët bëhen bashkë. Në model janë njësoj. Kemi një oligarki ekonomike pasojë e asaj politike.

Për drejtësinë kujtohen palët vetëm kur preken interesat personale. Kushdo është i bindur se Shqipëria nuk integrohet me autokratë që privatizojnë partinë dhe shtetin.

Pjesë e rëndësishme është dhe reforma zgjedhore, pa hapjen e një sistemi që i jep të drejtën qytetarëve direkt, e pamundur të çahte ky sistem.”, tha Salianji. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos