Alfred Lela, drejtor i Komunikimit në Partinë Demokratike, tha në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli se kryeministri Edi Rama tashmë e ka hequr maskën në raport me drejtësinë, pasi ka “hallin e vetes”. Sipas Lelës tashmë jemi në kushtet kur vet Rama është përballë drejtësisë, dhe drejtësia s’është më ajo që dikur thuhej se e ka bërë Partia Socialiste.
“Sjellja e gjithë javëve të fundit na ekspozoi një Ramë siç ai është në të vërtetë, e ka hequr maskën dhe tani është Rama, ai Ramë që ne nëpërmjet retorikës dhe propagandës së tij, e kujtonin një pjesë e publikut si një Ramë që ishte me drejtësinë, për drejtësinë, i drejtësisë. Rama që thoshte s’e kanë bërë as amerikanët, as europianët, e ka bërë PS. Gjithë narrativa e tij, ligjërimi publik i Ramës si kryeministër dhe kryetar i PS, ka qenë që ne e bëmë drejtësinë dhe ajo duhet për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, dhe deri para një muaji e ca, ju e mbani mend sinjalet që i jepte SPAK-ut, frymëzimet, kë duhet të kapte, kë duhet të linte dhe u desh të ndodhte një hetim për zëvendësen e tij, një prej njerëzve më të afërt që është Belinda Balluku, për të kuptuar që Rama e kishte skemë, pra s’ishte Rama i vërtetë, por ishte Rama me maskë. Logjika e zemëratës së Ramës, e një tabloje të re që ai po ndërton në ligjërimin publik në raport me drejtësinë, të çon vetëm te një premise, te një përfundim: Rama duhet të ketë frikë diku, për diçka nga dikush, në këtë rast nga Belinda. Nuk shpjegohet ndryshe ky ndryshim”, tha Lela.
“Rama është i zënë në korrupsion, në vjedhje, dhe s’ka hallin e Belindës, ka hallin e vetes. Rama i ka pushtetet në dorë dhe mund ta kondicionojë drejtësinë siç po e bën. Tani jemi në kushtet kur Edi Rama është përballë drejtësisë, drejtësia s’është më ajo që ka bërë PS, s’është e bukur, e mirë e hijshme. Drejtësinë tashmë duket sikur e ka bërë dikush tjetër dhe shpresoj që mos vijmë te dita që të thotë se për drejtësinë e re ‘fajin e ka Saliu’!”, vijoi ai.
(A2 Televizion)