
Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë fjalimit në foltoren e radhës, një ditë para protestës kombëtare të paralajmëruar nga opozita. Ai e cilësoi ditën e nesërme si “betejën vendimtare për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, duke akuzuar Ramën se po pengon drejtësinë për të mbrojtur korrupsionin.
“Miq, në Bruksel, Edi Ramës do i transmetohej një mesazh: Mos pengo drejtësinë se ne të mbyllim derën. Ishte i thjeshtë. Sot në mëngjes Edi Rama u përgjigj: më mbyllni derën se lëkurën time nuk e shes kurrë, se Lubinë nuk e dorëzoj, se po të dorëzoj Lubinë, duhet të dorëzoj veten time”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, vendimi i Ramës për të mos bashkëpunuar me drejtësinë rrezikon seriozisht procesin e integrimit europian të vendit.
“Edi Rama me vendimin e sotëm u tha shqiptarëve se integrimin e japim, por korrupsionin nuk e dorëzojmë. Por veten tonë, lëkurën tonë nuk e dorëzojmë. Sonte çdo shqiptar ndodhet para këtij kërcënimi të tmerrshëm, madhor”, theksoi ai.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të dalin në protestë, duke e cilësuar atë si jetike për të shpëtuar ëndrrën europiane të shqiptarëve.
“Në këtë kuadër, protestat tashmë janë jetike dhe vendimtare për të shpëtuar atë ëndrrën që nuk ishte vetëm e jona, nuk ishte vetëm e studentëve të viteve ’90, por atë ëndërr që ishte e formësuar nga Rilindja jonë, që Shqipërinë ta shihte zonjë midis kombeve të tjera europiane”, u shpreh ai.
Kreu i opozitës rikujtoi rolin e Partisë Demokratike në proceset e integrimit, duke theksuar se PD ka qenë “lokomotiva e integrimit në BE”, duke përmendur firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, liberalizimin e vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Tani, një bajloz i zi, një organizatë kriminale, do t’u mbyllë shqiptarëve rrugën drejt Europës. Do të asgjësojë drejtësinë, shtetin ligjor, Kushtetutën, për të mbrojtur paratë e krimit, vilat, apartamentet, kontot bankare brenda dhe jashtë”, deklaroi Berisha.
Në fund, ai dha një mesazh të drejtpërdrejtë për kryeministrin Rama:
“Nesër është beteja për integrimin e Shqipërisë në BE. Mesazhi ynë është një dhe vetëm një: mos guxo të luash me fatin e shqiptarëve, se fatin e Enver Hoxhës do kesh edhe ti për së gjalli.” (A2 Televizion)