Eda Grimci, kryetare e degës në Njësinë 9 e Partisë Demokratike, e ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, u pyet se si do ta shikonte Ilir Alimehmetin si kandidatin e PD-së për Bashkinë e Tiranës.
“Ilir Alimehmeti është një nga kandidaturat e shkëlqyera me të cilat mund të dalë PD-ja. Ky proces, të paktën me sa di unë, do të kalojë përmes primareve. Është një nga kandidaturat, nuk është e vetmja. Megjithatë, ai ka shprehur dëshirën për të qenë kandidaturë. Partia Demokratike nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare. Kandidaturat vijnë në forumet e larta drejtuese, ka një komision që merret me kandidaturat e shpallura apo të vetëshpallura”, tha Grimci.
“Pasi të riorganizohen strukturat, do të vijnë propozimet për kryetarët e bashkive. PD ka struktura, njerëzit e ngatërrojnë me PS-në, që është një entitet mercenarësh të paguar nga taksapaguesit shqiptarë. Kur kanë qenë në opozitë, nuk kanë pasur struktura. Sot diskutohet vetëm një gjë: më e mira do të ishte një kandidaturë përbashkuese, që përmbledh shumë grupe interesi, politik dhe jo vetëm”, shtoi Grimci. (A2 Televizion)