
Pas Lushnjës ndalesa e radhës e kryeministrit dhe kryesocialistit Edi Rama ishte Fieri, nga ku ai deklaroi se korrupsioni nuk dikton në Shqipëri, pavarësisht se ka probleme që duhet të adresohen. Në Asamblenë e PS-së, Rama tha se qeveria është e gatshme të përballet me çdo akuzë, por vetëm mbi baza faktesh.
Ai komentoi gjithashtu edhe rezultatet zgjedhore të Partisë Socialiste, duke përmendur 83 mandatet e fituara, të cilat sipas tij shpesh shoqërohen me përpjekje për t’u shpjeguar nga kundërshtarët politikë. Sipas tij shumë prej akuzave të opozitës janë gjyqe publike dhe thashetheme.
“Problemet më korrupsionin ne i kemi probleme që duhet të vazhdojmë t’i adresojmë, por në mënyrë absolute në Shqipëri, s’e bën ligjin korrupsioni dhe nuk dikton korrupsioni. Kjo është e vërteta. Mund të përballem me këdo me fakte. Kurse me thashetheme dhe gjyqe publike është e vështirë t’ia dalësh, sepse janë histori shumë të rënda, që lidhen me interesa, këndvështrime, pozicionime, që janë të paragjykuara, pasi ne kemi fituar 83 mandate. Ata që na ndjekin nga mbrapa si një lukuni dhe me çdo kusht duan të na ndalin përpiqen të gjejnë arsye në hava pse fitojmë ne dhe pse marrim 83 mandate. Sa më shumë ata flasin për keq aq më shumë ne fitojmë, sa më shumë ata akuzojnë e shpifin, aq më shumë ne fitojmë”, tha Rama. (A2 Televizion)