Kreu i PD, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në Facebook, theksoi se protesta e 17 prillit do të jetë paqësore dhe se opozita nuk synon marrjen e pushtetit me dhunë. Ai akuzoi qeverinë për aferën e portit të Durrësit dhe për gjendjen e rënduar në sistemin shëndetësor, ndërsa vlerësoi edhe figurën e Eliot Engel pas ndarjes nga jeta.
“Ne do të bëjmë gjithçka për largimin e tij dhe PD nuk përmbush misionin e saj, nëse nuk largon Edi Ramën që shqiptarët të jetojnë të lirë”.
Kjo ishte një nga përgjigjet që kreu demokrat Sali Berisha dha gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit e tij në rrjetin social Facebook. Kreu demokrat e bëri të qartë se protesta e thirrur më 17 prill do të jetë paqësore, ndonëse qytetarët kanë shprehur edhe preferenca për skenarë të tjerë.
“Ne në asnjë rrethanë, dhe asnjëherë që nga themelimi gjer sot, nuk kemi synuar dhe nuk synojmë të marrim pushtet me dhunë. Kjo është alternativa jonë dhe ne i qëndrojmë besnik kësaj alternative. Unë jam dakord që shumë nga protestuesit do të donin skenarë të tjera, por jam i sigurtë se ky skenar paqësor, është më i miri, i cili do të na çojë drejt realizimit të qëllimit tonë.”
Përpos denoncimit për aferën e portit të Durrësit, siç e cilëson ai, Berisha u ndal edhe te sistemi shëndetësor, për të cilin tha se është sektori më i shkatërruar nga qeveria Rama, duke shtuar se nuk sigurohen as analizat bazë për qytetarët.
Pas mbajtjes së një minute heshtje, Berisha u ndal të vlerësonte figurën e Eliot Engel, pas ndarjes së tij nga jeta. “Në jetën time politike nuk kam njohur kurrë një njeri që të ketë bërë më shumë për kombin tonë me aq dashuri dhe pasion çfarë kishte mundësi, se sa Eliot Engel!” (A2 Televizion)