
Pas vendimit të sotëm në parlament që rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut ka ardhur edhe reagimi i ambasadës holandeze në Tiranë. Duke mbajtur të njëjtin qëndrim sikurse ambasada gjermane e britanike, ambasada holandeze thekson se një nga kërkesat kyçe për integrimin e Shqipërisë në BE është ndjekja efektive penale e korrupsionit edhe në nivelet më të larta.
“Lidhur me vendimin e sotëm të Parlamentit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit, Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri deklaron:
Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me dëshirën e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta”.
Sipas ambasadës, sistemi i drejtësisë duhet të veprojë me shpejtësi dhe pa pengesa, ndërsa politika ka përgjegjësinë për zhvillimin e këtij procesi.
“Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë të jetë në gjendje të veprojë me shpejtësi dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për të siguruar që ky proces të zhvillohet”. (A2 Televizion)