Qeveria shqiptare e cilësoi hamendësim alarmin e ambasadës amerikane që vendi ynë, sidomos subjektet e lidhura me SHBA apo opozita iraniane, mund të jenë shënjestrim i grupeve të lidhura me Iranin.
Pasi ekzekutivi u kërkoi amerikanëve që të vizitojnë Shqipërinë se nuk përbën asnjë rrezik për sigurinë e tyre, A2 CNN pyeti selinë diplomatike amerikane në Tiranë nëse ky alarm i tyre është rutinë apo ka ndonjë kërcënim konkret.
Në përgjigjen e shpejtë në kohë të ambasadës thuhet që ka një bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare për rreziqet e sigurisë.
Ambasada e SHBA në Tiranë për A2 CNN:
Administrata Trump nuk ka përparësi më të lartë se siguria dhe mbrojtja e amerikanëve.Ne po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara vlerëson bashkëpunimin e saj të ngushtë në çështjet e sigurisë me Qeverinë e Shqipërisë, e cila ka shfaqur një angazhim të vazhdueshëm për të siguruar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe të gjithë banorëve të Shqipërisë. Ne do të ofrojmë më shumë informacion sapo të jetë i disponueshëm.
Por deklarata me nënvizimin “alarm” e Ambasadës Amerikane ka bezdisur politikisht mazhorancën. Si deputetët e shumicës dhe ministrat kanë përsëritur qëndrimin e qeverisë se nuk ka vend për panik. Kryetari i Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ashtu si ministri i Mbrojtjes, të pyetur nga A2 CNN, e cilësojnë alarmin e ambasadës si një mesazh rutinë për qytetarët amerikanë.
Por teksa këto mesazhe të ambasadës së SHBA kanë shkaktuar një shqetësim edhe tek opinioni publik, pyetja që shtrohet është a duhet të thërrasë Presidenti Begaj një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë?
Që nga shtatori i 2022, Shqipëria i ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin për shkak të sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shqiptare.
(A2 Televizion)