
Partia Demokratike ka ngritur në Kuvend shqetësimin pas paralajmërimit të Ambasadës së SHBA-ve për sulme të mundshme nga Irani në Shqipëri.
Deputeti demokrat Tritan Shehu i bëri thirrje Presidentit Begaj që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Në përgjigje ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha deklaroi se situata në Shqipëri është e sigurt dhe nuk ka vend për panik, raporton A2CNN.
“Nuk mund ta kalojmë me mendjelehtësi, ashtu siç ishte një reagim i qeverisë. Sot Rama duhet të referojë para Kuvendit, të dëgjojë pyetjet e deputetëve shqiptarë në lidhje me këtë çështje, për të sqaruar këtë Parlament, çfarë po ndodh, çfarë masash janë marrë. Nuk po shoh reagim as nga qeveria, as nga presidenca për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. E konsideroj serioz njoftimin e Ambasadës Amerikane, lidhje me pasigurinë në territorin shqiptar”, tha Tritan Shehu.
Kryediplomati Ferit Hoxha u përgjigj duke u shprehur se: “Ju siguroj që ne ndjekim me shumë vëmendje deklaratat e partnerëve tanë. Jemi në kontakt me ata këtu dhe në Uashignton. Jemi në kontakt me NATO-n. Dua të them, vlerësimi që kemi sot, është që nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar”. (A2 Televizion)