“Amerikanët kanë vrarë elitën e Iranit”, ish-ministri i Jashtëm: Ja pse duan të bëjnë bisedime në Pakistan

Nga A2 CNN
24 Mars 2026, 21:28 | Politikë

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, ish-ministri i Jashtëm, Arian Starova foli për çështjen e bisedimeve Iran-SHBA dhe konsideroi Pakistanin si një vend interesant të zhvillimeve të bisedimeve.

Starova tha që situata në Iran është e ndërlikuar, duke theksuar se politika e ndjekur nga Teherani prej dekadash ka pasur ndikim destabilizues në rajon.

Sipas tij, Irani ka synuar dominimin rajonal dhe është pozicionuar kundër vlerave perëndimore. “Kanë sponsorizuar terrorizmin, grupet terroriste që njihen si proksi, si: Hamasi, Hezbollah-u, Houthi dhe të tjerë”, u shpreh Starova, duke shtuar se ky është një nga elementët kryesorë që e komplikon situatën.

Ai u ndal edhe te evolucioni i regjimit iranian, duke theksuar se “nga premtimet për një sistem më të mirë pas rrëzimit të Shahut në vitin 1979, është shndërruar në një diktaturë të re me ngjyrime të forta fetare”. Në këtë kontekst, Starova theksoi se feja islame nuk duhet identifikuar me regjimin: “Myslimanizmi është një fe tolerance, me vlera pozitive që duhen vlerësuar”.

Duke folur për zhvillimet e fundit, ai u shpreh se ka paqartësi rreth bisedimeve të mundshme mes SHBA-së dhe Iranit. Sipas tij, nga njëra anë Irani mohon negociatat, ndërsa nga ana tjetër ka sinjale të kundërta nga Uashingtoni.

“Nuk shikoj pengesë nga Irani, por nëse lexohet midis rreshtave, amerikanët kanë treguar që nuk kanë me kë të bisedojnë”, tha Starova, duke iu referuar deklaratave të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Ai shtoi se goditjet e fundit kanë prekur rëndë elitën iraniane, çka sipas tij ndikon drejtpërdrejt në mundësinë e negociatave. “Elita ekzistuese është goditur rëndë. Janë vrarë, por prapë ka struktura të tjera”, u shpreh ai, duke përmendur edhe deklaratat e ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araqchi për ekzistencën e strukturave alternative.

Në analizën e tij, Starova hodhi hipotezën se bisedimet mund të zhvillohen me një grup tjetër përfaqësuesish iranianë jashtë vendit.

“Ndërkohë amerikanët, përmes kanaleve të dukshme dhe të padukshme diplomatike, mund të jenë duke përgatitur një takim me një grup tjetër përfaqësues”, tha ai në mënyrë të tërthortë.

Në përfundim, Starova theksoi se zhvillimet mbeten të paqarta dhe se “mbetet shumë interesante të shihet se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim” në lidhje me mundësinë e negociatave dhe aktorët që do të përfshihen në to. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos