Amnistia penale drejt Kuvendit, Lamallari: Përfitues rreth 10 mijë persona, nuk përfshihen të dënuar nga GJKKO

Nga A2 CNN
30 Janar 2026, 12:43 | Politikë

Ministria e Drejtësisë ka përfunduar projektligjin për amnistinë penale, i cili tashmë i është dërguar Këshillit të Ministrave dhe pritet të miratohet për t’u depozituar më pas në Kuvend. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, gjatë një konference për mediat, shkruan A2 CNN. Lamallari tha se në këtë projektligj nuk përfshihet amnisti për të dënuarit nga GJKKO.

“Jo, nuk përmban këto dënime. Ne kemi thënë edhe më herët se për ne është shumë e rëndësishme që të mos krijojmë keqkuptime apo spekulime megjithëse kam dëgjuar gjithë argumentet përfshi dhe ato të natyrës juridike, pa dashur të hyjnë nëse qëndrojnë ose jo, por duke marrë parasysh edhe kontekstin në të cilin ne ndodhemi dhe mbështetjen e vazhdueshme që ne i kemi ofruar organeve të reja të drejtësisë konkretisht atyre në luftë kundër krimit të organizuar dhe SPAK, ne kemi bërë të qartë që kjo nuk përfshin persona të cilët kanë qenë në hetim, janë në hetim apo në gjykim nga GJKKO”, tha Lamallari.

Sipas tij, nga amnistia penale pritet të përfitojnë rreth 10 mijë persona, duke përfshirë edhe procedime të vitit 2024. Nga këta, 338 të dënuar do të lirohen menjëherë, ndërsa 980 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Ministri theksoi se një pjesë e konsiderueshme e përfituesve i përkasin grupeve vulnerabël, përfshirë gra dhe të mitur, duke e cilësuar amnistinë si një akt human dhe rehabilitues.

“Shoqëria duhet të orientohet drejt parandalimit dhe rehabilitimit. Duhet t’u japim njerëzve një mundësi të dytë dhe mbështetje reale. Arresti me burg duhet të jetë fjala e fundit”, u shpreh Lamallari.

Në të njëjtën konferencë, Lamallari foli edhe për prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, ku veçoi përmirësimin e kushteve në burgje, trajtimin dinjitoz e human të të paraburgosurve dhe të dënuarve, si dhe rritjen e sigurisë. Një tjetër shtyllë kryesore, sipas tij, do të jetë digjitalizimi i sistemit, me synim rritjen e transparencës, gjurmueshmërisë dhe efikasitetit të praktikës ligjore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos