Ivi Kaso, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se kryeministri Edi Rama kërkon ndarje territoriale me 36 rrethe, duke kthyer kështu, sipas tij, epokën e komunizmit.
“Do ta bëjë 38 ose 37, do të kthehet në epokën e komunizmit. Para vitit ’90 ka qenë Shqipëria e ndarë në 36 rrethe, ëndrra e Edi Ramës, që ua ka thënë deputetëve socialistë dhe ata na e thonë në kafe, është ta kthejë në numrin e rretheve të Shqipërisë socialiste. Ky është objektivi i Reformës Territoriale”, tha Kaso.
Më tej, sipas tij, “Parlamentit i duhet dhe inputi i opozitës.
“Kësaj mazhorance a i duhet opozita, apo e ka thjesht për fasadë? Po ishte për fasadë, si të marrim pjesë te Reforma Territoriale, si te ajo Zgjedhore, ata do ngrenë dorën, shëndet e të mira. Mazhoranca duhet të japë një shembull që inputi i opozitës vlen. Nuk mundet të hidhen poshtë 95 amendamente, si në rastin e buxhetit”, theksoi Kaso. (A2 Televizion)