Në mbledhjen e kësaj të mërkure, Qeveria miratoi dy vendime në funksion të procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu bëri të ditur në daljen e saj për mediat se është miratuar udhërrëfyesi për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm 2030, si edhe partneriteti strategjik me agjencitë e OKB-së, në kuadër të përmbushjes së reformave dhe standardeve të kërkuara nga BE-ja.
“Presim përfundimin e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare dhe rekomandimet për kushtet përmbyllëse. Aspirata është që brenda këtij viti të kemi filluar diskutimet për 10 kapituj”, tha ministrja.
Sa i përket vendimeve të Parlamentit për imunitetin e deputetit, Koçiu u shpreh se ato nuk e kanë cenuar progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
“Gjithë këto vendimmarrje nuk e kanë cenuar progresin e Shqipërisë dhe as nuk e kanë vënë në diskutim raportin e saj me drejtësinë. Janë thjesht aludime të opozitës dhe atyre që e përbaltin Shqipërinë përditë. Jemi duke diskutuar dhe negociuar për t’i mbyllur grupkapitujt brenda kësaj dekade”, tha ministrja. “Raporti IBAR duhet të lexohet mirë dhe qartë, ashtu siç është shkruar. Është mirë të mos bëjmë interpretime të gabuara të asaj që shkruhet në raportet e Komisionit Europian”.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi njoftoi zgjatjen e misionit të trupave shqiptare në Letoni deri në fund të vitit 2029, si edhe miratimin e njësimit të gradave ushtarake dhe të projekteve për qeverisjen vendore dhe përballimin e fatkeqësive natyrore. (A2 Televizion)