Koka debat me Krasniqin dhe Poli Hoxhën: Vetëm bashkimi PD-LSI do sillte rotacionin në vend

Nga A2 CNN
27 Maj 2026, 22:59 | Politikë

Gazetari Bledian Koka u përfshi në debat me politologun Afrim Krasniqi dhe gazetarin Poli Hoxha në lidhje me strategjitë e Partisë Demokratike dhe humbjen e opozitës në zgjedhjet e vitit 2021.

Koka i ftuar në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, deklaroi se Partia Demokratike ka kaluar edhe periudha më autoritare gjatë drejtimit të Sali Berisha, por sipas tij kjo nuk ka qenë përcaktuese për ardhjen ose jo në pushtet.

“Partia Demokratike për mua ka qenë më autoritariste në drejtimin e Sali Berishës në ’97-2005. Madje ikën dhe zoti Pollo, Tritan Shehu, Kreshnik Çollaku e të tjerë. Por koha tregoi që jo për shkak të autoritarizmit partia vjen apo nuk vjen në pushtet”, u shpreh Koka.

Krasniqi kundërshtoi këtë analizë, duke argumentuar se rotacioni i vitit 2005 u ndikua fort nga partnerët ndërkombëtarë.

“2005 ndodhi sepse partnerët kryesorë perëndimorë vendosën të bëjnë rotacion dhe e futën në listë të zezë ish-kryeministrin e asaj periudhe dhe rrethin e tij”, tha Krasniqi.

Më tej, ai u ndal te zgjedhjet e vitit 2021, duke theksuar se opozita humbi tetë mandate për shkak të mungesës së koordinimit mes PD-së dhe LSI-së.

“Partia Demokratike për një mungesë rakordimi me LSI-në në zona të caktuara humbi tetë mandate opozita. Me tetë mandate të fituara do kishin ndryshuar gjithçka”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Koka u shpreh se ishte plotësisht dakord me Krasniqin për analizën e vitit 2021.

Bashkimi PD-LSI do kishte sjellë rotacionin e pushtetit, sepse diferenca ishte 30 mijë vota. Ndërkohë ishin edhe 70 mijë vota të pavlefshme që, për mendimin tim, duhej të ishin rinumëruar”, tha ai.

Gazetari Poli Hoxha kundërshtoi argumentin se opozita kishte realisht shanse për fitore në vitin 2021, duke kërkuar një analizë më të thellë të asaj periudhe.

PD-ja fitoi në 2021-shin? Tani po të them të marrim një makinë kohe dhe të analizojmë çfarë ndodhi realisht para zgjedhjeve”, tha Hoxha gjatë debatit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos