Anëtari i Këshillit Kombëtar: PD duhet të rrijë çdo natë para Kryeministrisë, të ishim në shesh që në 12 Maj

Nga A2 CNN
23 Mars 2026, 20:31 | Politikë
 

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka kërkuar intensitet më të madh të protestave të opozitës.

Gjatë debatit në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Hoxha u shpreh kritik ndaj ritmit të aksionit, duke theksuar se protestat duhej të kishin qenë më të shpeshta dhe më të forta, duke nisur nga data 12 Maj. 

Sipas tij, opozita duhej të ishte çdo natë përpara Kryeministrisë, sidomos pas zhvillimeve politike të muajve të fundit.

“Nëse vendimet do t’i merrja unë, çdo natë nga 12 maji e në vijim, apo pas publikimit të raportit të OSBE-ODIHR-it, do të ishim përpara Kryeministrisë me të gjitha strukturat e Partisë Demokratike, duke ftuar edhe qytetarët,” u shpreh Hoxha.

Ai theksoi se pjesëmarrja qytetare në protesta ndikohet drejtpërdrejt nga klima politike dhe sociale në vend.

“Jemi në një sistem ku nëse proteston, fotografohesh, mund të humbasësh vendin e punës apo të penalizohesh në biznes. Kjo klimë tremb qytetarët,” deklaroi ai, duke shtuar gjithashtu se emigrimi masiv ka ndikuar në dobësimin e mobilizimit.

Në analizën e tij në Off The Record me Andrea Dangllin, Hoxha e shtriu krizën politike më gjerë në kohë, duke e lidhur atë me ndryshimet e vitit 2008, të cilat sipas tij kanë prodhuar një sistem “kryetarokracie”.

Ai nuk përjashtoi as Partinë Demokratike nga kjo kritikë, duke theksuar se mungesa e garës dhe përballjes së brendshme ka ndikuar në sjelljen e deputetëve dhe në nivelin e debatit parlamentar.

Sipas Hoxhës, kriza e përfaqësimit dhe standardeve politike mbetet një nga problemet kryesore, duke kërkuar reflektim urgjent.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos