Rikthimin e vulës së Partisë Demokratike në duart e tij, Sali Berisha nuk e konsideron si një fitore personale, por një humbje të Edi Ramës dhe një fitore të demokracisë. Fill pasi Gjykata e Apelit i dha të drejtë “Rithemelimit”, nga “arresti i shtëpisë” ku ndodhet prej 30 dhjetorit, tashmë kryetari në fuqi i PD-së zgjodhi t’i dedikonte disa rreshta falënderimi demokratëve, që nuk u dorëzuan.
Në statusin e tij, Berisha shkruan se demokratët pavarësisht presionit padrejtësive e kërcënimeve, ia dolën që të mos shiten, por edhe as të mos zhduken.
“Mesazh për anëtarët dhe mbështetësit e PDSH!Të dashur demokrate dhe demokratë, simpatizante dhe simpatizantë të PD. Sot është dita të falënderoj dhe të përulem me respektin më të madh para çdo demokrateje e demokrati që shkroi historinë në kuvendin e 11 Dhjetorit! Kjo nuk është historia e Sali Berishës, por historia e demokracisë dhe opozitarizmit, është mishërimi i aksiomës se Zoti është me qëndrestarët dhe guximtarët!
Askush më shumë se demokratët nuk e kanë provuar këtë përgjatë këtyre 30 viteve, ne 1992 në rrëzimin e diktaturës, në 97 përgjatë rebelimit të kuq, por dhe sot ku pavarësisht presionit padrejtësive e kërcënimeve ata ja dolën, as të mos kapen, as te mos shiten dhe mbi të gjitha të mos zhduken! Qëndruan për Flamur! Këtij vendimi historia do t’i njohë meritën e madhe të parandalimit të një mynxyre të vërtetë për vendin, kapjen e pluralizmit politik nga partia shtet. (...) Sot nuk ka fituar Sali Berisha, por demokracia. I vetmi i humbur sot është Edi Rama.”, shkruan Berisha.
Ai thotë se nga kjo ditë, bashkimi i demokratëve është fakt.
“Sot është ditë e mirë edhe për çdo demokrat e demokrate që nuk është me Sali Berishën, por që është me Partinë Demokratike me Flamurin e saj pasi ky moment u heq atyre hendekun e ndarjes me shumicën e vëllezërve dhe motrave të tyre! Sot dera për ta është e hapur dhe respekti për kontributet dhe mendimin ndryshe është i garantuar! Sot duhet të bashkohemi rrethe Flamurit te pamposhtur të betejave tona”, vijon ai.
Tashmë, pas këtij vendimi, ish-kryeministri thotë se demokratët gjenden para një misioni të rëndësishëm, të bëjnë rotacionin politik, që sipas tij, është i domosdoshëm për shpëtimin e vendit.
“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë bashkimi për rrëzimin e tij dhe rikthimin e shpresës tek shqiptarët për të realizuar së bashku rotacionin e vonua, shpëtimin e Shqipërisë! O sot o kurrë”, përfundon Berisha në reagimin e tij të parë pasi Apeli i dha vulën.
Reagimi erdhi pasi trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët e Apelit, Alma Ahmeti, Elona Toro dhe Iliba Bezati vendosën sot që të mos pranojnë ankimimin e bërë nga Enkelejd Alibeaj, duke ia marrë vulën e PD-së Lulzim Bashës dhe ia dorëzuar Sali Berishës. (A2 Televizion)