Kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën se procedurat e prokurimit publik nuk do të kryhen më nga ministritë dhe po punohet që të binden edhe bashkitë të bëjnë të njëjtën gjë.
“Operatori i Blerjeve të Përqendruara na ka dhënë mundësinë të bëjmë një tjetër kapërcim të madh, që të mos bëjmë më tendera në ministri. Pra ministritë dhe ministrat nuk kanë më asnjë lidhje me tenderat dhe njëkohësisht një pjesë e madhe e tenderave të spostohen hap pas hapi edhe nga agjencitë kryesore por edhe nga pushteti vendor, sipas zgjedhjes së tyre”, tha Rama në një konferencë për mediat, përcjell A2 CNN.
“Pushteti vendor ka autonominë e vet dhe nuk mund t’i imponojmë sesi i bën tenderat, por ka filluar një proces dialogu me operatorin dhe kështu krijojmë një strukturë të superspecializuar për të realizuar procese që janë të komplikuara shumë më tepër se çfarë iu duken atyre që nuk dinë çfarë flasin”, shtoi ai. (A2 Televizion)