“Shpresoja që Berisha të largohej nga politika”, Malaj: Ta lirojë partinë të marrë frymë

Nga A2 CNN
10 Maj 2026, 20:57 | Politikë

Arben Malaj, ish-ministër i Financave, deklaroi se Partia Demokratike po kalon një krizë të thellë dhe shtoi se shpresonte që “Sali Berisha do gjente një moment që të largohej nga politika”.

“Unë besoj që kriza e Partisë Demokratike është shumë e thellë në politikën shqiptare, edhe për faktin që duke qenë pjesë opozitare, ajo duhet të vinte përballë domosdoshmërisë së përmirësimit ndaj mazhorancës, por duke qenë se të dy kryetarët e partive veprojnë si vëllezër siamezë, gjë që e dokumentoi marrëveshja e 2008-ës dhe gati janë edhe marrëveshjet për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale, unë kisha shpresuar që Sali Berisha do gjente një moment që të largohej nga politika. Nuk do të ndodhte ndonjë hata e madhe. Ka ikur Tony Bler, ka ikur Theçeri, ka ikur Merkel, por duket se nuk e lëshon atë parti dhe i ngjan atij njeriut që e rrit vetë fëmijën dhe pastaj i vë duart në grykë dhe e mbyt”, tha Malaj në një lidhje direkte me studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN.

“Kam diskutuar dhe me kolegët e Partisë Demokratike, por asnjëri nuk gjen një forcë që ta bindë që të shkojë President Nderi, ta lirojë partinë të marrë frymë. Është një motor që ka ngecur dhe ka ngecur duke penguar edhe gjithë zhvillimet politike në vend”, shtoi ish-ministri.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos