Avokati i Fredi Belerit: Rama ndikon në proces edhe me frymëmarrjen e tij!

Nga A2 CNN
13 Shkurt 2024, 21:09 | Politikë

Eugen Gjyzari, avokati i Fredi Belerit, ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në “Debat nga Alba Alishani” në A2 CNN, ku u diskutua në lidhje me vendimin e SPAK, i cili kërkoi një dënim me 2 vite e 6 muaj burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri dhe dy vite burg për bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi, të dy të akuzuar për korrupsion në zgjedhje.

Sipas Gjyzarit, dënimi i dhënë nga SPAK për Belerin është i ashpër dhe se është marrë për të sugjestionuar Gjykatën, ndërsa shtoi se, ata si palë mbrojtëse, i kanë kërkuar përgjimet, por kërkesa e tyre është refuzuar.

Ai vijoi më tej duke thënë se për Fredi Belerin nuk ka prova, ndërsa ngriti pyetjen se cilat janë episodet që është ndërtuar e gjithë kjo histori e shitblerjes së votave. Gjyzari deklaroi po ashtu se, një pjesë e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese presin vendimin e dënimit për ta shqyrtuar çështjen.

Më tej, z. Gjyzari deklaroi se, klientit të tij nuk do t’i konvertohet dënimi në shërbim prove, ndërsa nuk i kurseu akuzat edhe ndaj kryeministrit Rama, i cili sipas tij, ndikon në këtë proces edhe me frymëmarrjen e tij.

Kujtojmë se, këtë të martë u zhvillua seanca ku u dhanë konkluzionet për Belerin, nga dy prokurorët e posaçëm, Adnand Xholi dhe Dorina Bejko.

Ndërkaq, për Pandeli Kokaveshin, SPAK kërkoi dënimin me 2 vite burg. Por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe të djalit, SPAK i kërkoi gjykatës pezullimin e dënimit me burg dhe vënien në shërbim prove për 4 vitet e ardhshme. Seanca e radhës do të mbahet më 28 shkurt, në orën 14:30.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota.

Ai u arrestua para votimeve për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe për rrjedhojë nuk ka mundur të betohet pasi nuk i është dhënë leje për të dalë nga qelia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos