Avokati i Popullit/ A u zhgënjye Ndregjoni nga Berisha? Ish i përndjekuri: I shkova çdo ditë poshtë ballkonit

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2025, 22:10 | Politikë

Besim Ndregjoni, përfaqësues i të përndjekurve politikë dhe ish-kandidat për Avokatin e Popullit, i ftuar në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN, shprehu zhgënjimin e tij me Partinë Demokratike pas zgjedhjes në këtë post të Endri Shabanit.

“Ishim ne të përndjekurit politikë çdo natë pranë shtëpisë së Sali Berishës, duke mbrojtur kauzën. Ishim ne, miqtë më të ngushtë të Amerikës, që nuk e pranuam kurrë “non gratën” që i caktoi Amerika Sali Berishës dhe e quanim padrejtësi që i bëhet opozitës shqiptare. Sot ndodhem përballë dy problemeve kryesore. Përballë doktor Berishës, që kam punuar me të dhe përballë shtresës time, e cila ka 24 orë që më kërkon llogari. Përse nuk të mbrojti Partia Demokratike ty si kandidaturë e vetme, por me një diskutim në Parlament të thatë dhe aspak bindës, tha, kemi dy kandidatura. Dje i duhej treguar Partisë Socialiste se kandidatura është Besim Ndregjoni dhe ne nuk lejojmë të vazhdojë punimet Parlamenti pa u zgjidhur ky problem. Atë nuk e bënë, e bënë shoë politik dhe më turpshmja ishte se grupi parlamentar i Partisë Demokratike në mënyrë të papërgjegjshme, në mënyrë aspak njerëzore, aspak politike, aspak morale, i jep mbështetje kryetarit të Partisë Komuniste, të së majtës ekstreme, një soroisti, i cili jo më larg se pesë muaj më parë, në zgjedhjet e 11 majit, akuzonte lidershipin e Partisë Demokratike se nuk duhet të jetë në politikë”, tha Ndregjoni.

“Dhe më e turpshmja është se të gjithë po fshihen se nuk e kanë dhënë firmën. Më e turpshmja është që Kryesia e Partisë Demokratike, duke përjashtuar doktor Berishën, e kanë marrë Endri Shabanin, e kanë futur në grup parlamentar, ia kanë dhënë firmat, e kanë uruar. Ky është turp, turp kombëtar”, shtoi Ndregjoni.

Kur u pyet se si iu duk ky argumenti që përdorën se i dhanë firmat në periudhën kur së bashku me Endri Shabanin dhe partitë e tjera po mbështesnin Florian Binajn për kandidaturën e tij për kryebashkiak të Tiranës dhe në këtë klimë u dhanë edhe votat për Endri Shabanin, Ndregjoni u përgjigj: “Kjo s'është bindëse. Ky është një justifikim, por një justifikim i marrë. Florian Binaj nuk ishte kandidat i Partisë Demokratike. Ishte kandidat i pavarur. Sa tha publikisht se nuk do bëjë fushatë me Partinë Demokratike, me lidershipin Berisha”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos