
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar zyrtarisht që procesi i emërimeve dhe zgjedhjeve të titullarëve të institucioneve të pavarura nga Kuvendi, përfshirë Avokatin e Popullit, të zhvillohet përmes një procedure transparente dhe me rregulla të qarta. Në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, propozon që diskutimet të udhëhiqen në mënyrë të hapur në Konferencën e Kryetarëve, të cilën e cilëson forumin më të përshtatshëm për një proces gjithëpërfshirës.
Në dokumentin e tij, Bardhi i referohet Progres-Raportit të fundit të Komisionit Europian, ku theksohet se politizimi i emërimeve në pozitat e larta të institucioneve të pavarura mbetet “një çështje serioze”. Sipas tij, përzgjedhja e titullarëve të këtyre institucioneve duhet të garantojë meritokraci, pavarësi dhe konsultim të sinqertë mes të gjitha grupeve parlamentare.
PD ka paraqitur një formulë të detajuar të bashkëveprimit për dy kategori vendimmarrjeje: kur kërkohet shumicë e cilësuar (3/5) dhe kur kërkohet shumicë e thjeshtë e Kuvendit. Në të dyja rastet, propozohet një proces me disa faza, që nis me paraqitjen e një liste kandidatësh nga njëri krah i politikës dhe vijon me filtrimin e listave nga pala tjetër, deri në përzgjedhjen e një kandidati final që votohet me konsensus në seancën plenare.
Grupi parlamentar i PD-së nënvizon se opozita është e gatshme të marrë pjesë në proces vetëm nëse garantohen transparenca, rregullat e qarta dhe depolitizimi i emërimeve, duke theksuar se këto standarde janë thelbësore për besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të pavarura. (A2 Televizion)