“Rrudhet” foltorja e PD. Tubimi i tretë poshtë zyrës së Ramës, Berisha: Kupa po derdhet

Nga Ervin Koçi
2 Dhjetor 2025, 10:57 | Politikë

Demokratët iu përgjigjën ftesës së Sali Berishës për të tubuar poshtë zyrës së Edi Ramës. Edhe pse të “rrudhur” në numra, kjo nuk e frenoi kryetarin e PD-së që të akuzonte Kryeministrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese për çështjen “Balluku”. 

Ftesa e Sali Berishës për t’u mbledhur poshtë zyrës së Edi Ramës u dëgjua më pak këtë herë. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u mbush nga disa dhjetëra protestues të cilët dolën në mbështetje të kauzës së demokratëve që këtë herë, ishin treguar më kreativ. 

Mes folësve kishte politikanë e qytetarë, por ovacionin më të madh e krijoi sërish Berisha. Fjalimi i kryedemokratit kishte në fokus akuzat ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke e cilësuar kabinetin qeveritar si epiqendrën e korrupsionit në vend dhe bulevardin si sheshbetejën politike: “Ka mbush dhe po derdhet kupa, ndaj dhe ne sheshin nuk e lëshojmë. Dhe ne kemi hyrë në betejën vendimtare, demokrat e demokrate, me Edi Ramën nuk shkojmë kurrë në zgjedhje”.

Mes akuzave ndaj Edi Ramës ishte edhe ajo për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, trupë e cila të martën do të fillojë shqyrtimin paraprak të padisë së kryeministrit ndaj SPAK: “Dy ditë ka humbur çdo gjë dhe në një përçartje të neveritshme del e merr në mbrojtje haptas. Po mbroj ministren, nuk po mbroj Lubinë. Po të dy jeni hajdutë! Po ti atë që bën kundër Gjykatës Kushtetuese fakton se ti je hajduti kryesor i kësaj afere”. 

Mbylljen e tubimit, Berisha e bëri me thirrjen për t’u rimbledhur sërish javën e ardhshme poshtë zyrës së Edi Ramës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos