Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, në një intervistë për emisionin Puls në A2 CNN me Bruna Çifligun, ka kritikuar ashpër vendimet e Komisionit të Etikës dhe Rregullores në Parlament, duke e cilësuar “qesharak” dhe të kapur nga mazhoranca. Sipas tij, reagimi i PD-së në parlament ishte i drejtë dhe i domosdoshëm për të denoncuar pengesat ndaj hetimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga SPAK-u.
“Duhet të ndihemi krenarë për punën që bëjmë përballë një regjimi dhe një sjelljeje të tillë në Parlament. Nuk e bëjmë nga qejfi atë lloj qëndrimi, por për shkak të sjelljes së mazhorancës. Çfarë kërkuam ne në parlament? Kërkuam që të mblidhet Komisioni i Mandateve dhe Imunitetit dhe t’i hiqet imuniteti Ballukut, t’i hapet rruga SPAK-ut për hetim. Nuk po e dënojmë ne. Të bëhet ajo që u bë për kryetarin e Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berishën, i cili për një akuzë false u vendos menjëherë në shënjestër. Atëherë pse sot bllokohet SPAK-u për zëvendëskryeministren Balluku? Kjo ishte arsyeja e reagimit tonë në parlament. Reagimi ishte simbolik. Absolutisht, në çdo parlament të botës ndodhin gjëra të tilla”, tha Baçi.
Deputeti foli edhe për protestën kombëtare, duke theksuar se pjesëmarrja ishte e madhe dhe tejkaloi pritshmëritë, pavarësisht njoftimit disa ditë më parë. Ai e quajti protestën një fillim të procesit të vazhdueshëm për të detyruar dorëzimin e qeverisë Rama dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Ishte fillimi i një procesi. Ka nisur sezoni i protestave pa ndalim deri në dorëzimin e qeverisë Rama dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha deputeti.
Ai hodhi poshtë pretendimet për përjashtime brenda PD-së, duke i cilësuar si lajme të pavërteta. “Janë lajme mediatike pa asnjë bazë. Partia Demokratike nuk përjashton askënd. Statuti nuk e lejon. Grupet e WhatsApp-it përditësohen çdo ditë. Zoti Salianji ishte në protestë dje, është pjesë e PD-së dhe nuk ka asnjë përjashtim”. (A2 Televizion)