
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me komunitetin e biznesit, ku në qendër të diskutimit ishte nisma e “paqes fiskale”, tashmë e miratuar si ligj dhe që pritet të nisë zbatimin nga janari i vitit të ardhshëm. Rama theksoi se kjo nismë synon të krijojë një urë të re besimi mes sipërmarrjes dhe administratës tatimore, pa cenuar integritetin ligjor.
“Paqja fiskale është një zotim i yni i fushatës elektorale dhe sot është ligj. Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, do ta zbatojmë atë si një instrument për të ndërtuar një marrëdhënie të re besimi mes shtetit dhe biznesit”, u shpreh kryeministri, përcjell A2 CNN. Ai sqaroi se për çdo rregullim të pasqyrave fiskale të viteve të shkuara, fitimi do të tatohet vetëm 5%, një normë shumë më e ulët se tatimi i zakonshëm mbi fitimin.
Sipas Ramës, kjo masë ndihmon formalizimin dhe u jep mundësi sipërmarrjeve të korrigjojnë gabimet e së shkuarës pa barrë të rëndë financiare. “Për çdo pasqyrë të korrigjuar, fitimi tatohet vetëm 5%. Kjo rrit formalizimin dhe nuk cenon integritetin ligjor të gjithë ndërveprimit”, tha ai. Kryeministri shtoi se paralelisht do të ketë lehtësi edhe për gjobat, nga fshirja e plotë deri te pagesa me këste, në varësi të vjetërsisë.
Gjatë takimit, Rama debatoi edhe me përfaqësuesit e sektorit të ndërtimit. “Ju jeni sektori me fitimin më të lartë në Shqipëri dhe akoma deklaroni punonjës me paga minimale. Çfarë mbështetje kërkoni?”, deklaroi ai. (A2 Televizion)