
Deputeti i PD, Klevis Balliu, foli për mediat pas vizitës në ambientet e burgut "313" ku u takua me ish-Presidentin Ilir Meta.
Ndërsa ngriti shqetësimin për kushtet dhe trajtimin e Metës në paraburgim, Balliu vuri në dukje se ai ka 19 muaj pa u takuar me prindërit dhe po qëndron totalisht i izoluar.
Ndër të tjera ai u shpreh se të drejtat nuk i janë mohuar as disidenti të ndjerë rus Navalny, të cilit sipas Balliut i dha e drejta për intervistë në burgun e Siberisë, por kjo e drejtë i është mohuar Ilir Metës, raporton A2CNN.
“Po ju kujtoj Navalny-n, atij iu dha mundësia të jepte intervistë në burg në Siberi, Ilir Metës nuk i jepet kjo e drejtë në Shqipëri, është rast unikal në botë. E kërkon intervistën që gjithsecili të ketë mundësi të dëgjoj se çfarë po ndodh. Nuk kanë gjetur asgjë, përveç shpifjeve, për çështje që janë gjykuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtare si CEZ-DIA, e rikthejnë me ca pretendime të disa njerëzve kot që vet kanë qenë pjesë në ato struktura dhe s’e kanë përmendur emrin e Metës. Ky njeri mbetet aty në shkelje të ligjit dhe afateve dhe e vetmja gjë që kërkon është transparenca për qytetarët, sepse nuk është këtu për vjedhje, por për denoncimin e aferave të Ramës”, tha Balliu. (A2 Televizion)