“Dështim i madh i politikës sonë të jashtme”, Krasniqi: Asnjë në Prishtinë për të ndihmuar në këtë krizë

Nga A2 CNN
28 Prill 2026, 22:21 | Politikë

Politologu Afrim Krasniqi kritikoi faktin që sot në Prishtinë nuk ka asnjë politikan shqiptar për të ndjekur situatën e krizës politike në Kosovë.

“Ndihem jo komod kur lajmet në Tiranë sot ishin që kryeministri ynë bëri një shëtitje te një rrugë e re, shkoi te një muze, kreu i opozitës bëri konferencën e tretë a të katërt ditore, mediat u morën me pamjen e Ilir Metës… si është e mundur që ndikimi i Shqipërisë ka rënë në këtë pikë, aq sa nuk ka fare ndikim në botën shqiptare? Sot nuk kemi asnjë në Prishtinë për ta ndjekur situatën, ndoshta jo për të ndikuar, por për të qenë aty, minimumi për të ndihmuar aq sa ndihmojnë vëllezërit në raste të till”, tha Krasniqi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Sipas politologut, kjo “është fatkeqësi e madhe dhe është dështim i madh i politikës sonë të jashtme”.

“Kështu është kur e bën politikën e jashtme me telefona, me lidhje personale dhe me inate personale. Humbet koncepti i shtetit. Imagjino sot politikën e jashtme, çfarë pune ka pasur më të rëndësishme sot sesa për t’u marrë me ngjarjet në Kosovë? Presidenti Bush, kur vizitoi Shqipërinë, tha që SHBA dëshiron që vendi ynë të jetë aktiv”, tha Krasniqi.

Më tej, politologu shtoi: “A nuk ka të drejtë Shqipëria të thotë “zgjidheni sepse duhet të ndërtojmë një strategji të përbashkët në të mirë të Kosovës, për të bërë lobing, për ta bërë më të mirë jetën e banorëve të dy vendeve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos