“Në grupin ku ministri ofendoi shqiptarët ishin 12 persona”, gazetari: Ferit Hoxha sillet si influencer

Nga A2 CNN
28 Prill 2026, 22:47 | Politikë

Gazetari Lavdrim Lita deklaroi se Ferit Hoxha “është një person i papërshtatshëm për të qenë ministër i Jashtëm”.

Duke komentuar një komunikim të pretenduar me diplomatë shqiptarë dhe një deklaratë ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Lita u shpreh kështu në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN: “U informova pak dhe mësova se aty në grup kishin qenë 12 persona, mes të cilëve gjashtë ishin të afërt me politikën e ministrit Hoxha dhe gjashtë ishin ambasadorë karriere apo nëpunës të lartë të Ministrisë. Mendoj që nga një nga këta 12 ka nisur qarkullimi i “screenshot”-it. Është e qartë që ky është një person i papërshtatshëm për të qenë ministër i Jashtëm. Është marrë në atë detyrë me një porosi të veçantë nga kryeministri Rama për të organizuar samitin e NATO-s në 2027 sepse nuk ka dashur t'i besohej dhe t'i jepte kredenciale politike zonjës Spiropali, sepse kjo mund të merrte fuqi apo furi për të ardhmen. Është marrë një person teknik, i cili bën si influencer nëpër media”.

“E pashë në intervistën në Turqi, që ishte skandaloze. Jo vetëm që harroi të përmendte që Turqia ka qenë shteti i parë që ka njohur Kosovën, po bënte dhe gjeste prej influenceri me duar dhe me këmbë. Pra, kishte një tjetërsim total nga ai personi burokrat që ka punuar me të gjitha partitë”, shtoi gazetari.

Sipas Litës “incidenti që ka ndodhur me shqiptarët e Maqedonisë është shumë serioz dhe është në vazhdën e gabimeve që ka bërë politika e Tiranës, e cila sillet si patronazhiste ndaj shqiptarëve në trojet shqiptare”.

“Nuk është serioze dhe nuk është shtetërore në respekt të tyre dhe të sakrificës që ata kanë krijuar me shumë gjak dhe me shumë kohë në Maqedoninë e Veriut. Fatkeqësisht, kemi këtë nivel qeverisjeje dhe këto personazhe që sillen si influencer në zyrat e shtetit”, theksoi Lavdrim Lita.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos