“Incident i evitueshëm”, Krasniqi: Ferit Hoxha diplomat karriere, por kohët e fundit kam parë një person tjetër

Nga A2 CNN
28 Prill 2026, 23:51 | Politikë

Politologu Afrim Krasniqi komentoi komunikimin e ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, me diplomatë shqiptarë dhe një deklaratë të tij ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, Krasniqi u shpreh: “Mendoj që është një incident i evitueshëm dhe një leksion që politika nuk bëhet me WhatsApp. Thelbi është pranuar që ka një problematikë në komunikim dhe do lërë gjurmë. Unë nuk mendoj që zoti Ferit Hoxha është njeriu që duhet të jetë në qendër të vëmendjes për skandale. Është një diplomat karriere. Mendoj që është lajm i mirë që është në diplomaci, por kam parë kohët e fundit, një person tjetër, që thotë “të suksesshme marrëdhëniet me Greqinë”, “të suksesshme marrëdhëniet me Bashkimin Europian”, ndërkohë që janë ndërprerë marrëdhëniet praktikisht, është pezulluar i gjithë procesi. Thotë “gjithçka e suksesshme”, nga një nevojë e madhe për të bërë diçka që nuk i shkon kostumit të tij dhe nuk i shkon kostumit të ministrit të Jashtëm. Ne këtu kemi kritikuar në studio dhe ish-ministren kur fliste me një pathos të madh partie në Ministrinë e Jashtme. Por, ishte funksionar partie. Ky nuk është funksionar partie”.

Më tej, politologu shtoi: “Pyetja është: si emërohen ambasadorët, si emërohen zyrtarët e Ministrisë së Jashtme? A e kuptojnë funksionin që ata kanë dhe e kuptojnë cili është roli kushtetues i tyre në raport me Shqipërinë dhe në raport me detyrat e tyre funksionale? A kanë një trajnim deri diku për të paktën gjuhën e komunikimit që ta kenë brenda normave kushtetuese, etike dhe ligjore? Politika jonë e jashtme vazhdon të jetë në të gjitha nivelet me ËhatsApp dhe raportet janë krejtësisht personale dhe për interesa personale, krejtësisht afatshkurtra. Ky nuk është as skandali i parë dhe nuk do jetë as i fundit. Unë jam historian. Unë dua që ministri ynë i Jashtëm të flasë nga zyra dhe çdo ministër të flasë nga zyra dhe të regjistrohet biseda. Të lenë gjurmët e bisedës dhe të lihet dokumenti zyrtar çfarë është biseduar, çfarë është angazhuar. Nuk është marrëdhënia shtetërore marrëdhënie personale, kush flet më bukur anglisht në telefon. Është marrëdhënie institucionale dhe duhet të ketë gjurmë”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos