Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur këtë të hënë në orën 10:00 në Kryesinë e Kuvendit, kur kanë mbetur edhe pak ditë nga mbyllja e sesionit parlamentar. Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi raporton se vëmendja kryesore lidhet jo vetëm me agjendën e zakonshme të mazhorancës, por edhe me disa zhvillime të veçanta politike dhe institucionale.
Në këtë mbledhje është i pranishëm kryeministri Edi Rama, ndonëse ai nuk merr pjesë gjithmonë në takimet e grupit parlamentar. Po ashtu, në këtë takim merr pjesë edhe zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e riktheu atë në detyrë, duke pezulluar masën e sigurisë “pezullim i ushtrimit të detyrës”, dhënë nga Gjykata e Posaçme.
Kjo është praktikisht mbledhja e fundit e grupit socialist përpara seancës së fundit plenare të planifikuar më 18 dhjetor. Takimi vjen në një klimë të tensionuar politike, pas vendimit të Partisë Demokratike për t’u tërhequr nga komisionet e reformës zgjedhore dhe territoriale, duke paralajmëruar protesta dhe kërkesën për qeveri teknike.
Në fokus pritet të jenë edhe ndryshimet e paralajmëruara në Kodin Penal, veçanërisht sa i takon veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Kryeministri Rama ka theksuar nevojën për reflektim institucional, duke iu referuar një direktive të re të Bashkimit Europian dhe debateve mbi kufijtë e kompetencave mes drejtësisë dhe pushteteve të tjera, duke siguruar se çdo ndryshim synon forcimin dhe pjekurinë e reformës në drejtësi. (A2 Televizion)