Komisioni Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi nuk arriti as këtë të mërkurë të zhvillojë një mbledhje normale. Ndryshe nga një ditë më parë, deputetët e përjashtuar të opozitës nuk u lejuan të futeshin në sallë, teksa socialistët nisën mbledhjen pa pritur kryetaren demokrate, Albana Vokshi. Përplasjet e saj me n/kryetarin Ndreca agravuan në ofendime, deri në momentin e largimit të saj nga mbledhja.
Komisioni Hetimor për koncesionet në shëndetësi u kthye për të disatën herë në arenën e përplasjes ndërmjet maxhorancës dhe shumicës. Por dallimi mes të martës dhe të mërkurës u duk që te dera e komisionit, shkruan A2 CNN. Nëse një ditë më parë deputetët opozitar të cilët janë të përjashtuar nga punimet e Kuvendit u lejuan të futeshin në sallë, të mërkurën jo.
Socialistët ana e tyre nuk i shqetësoi kjo gjë, madje nxituan të nisnin punën për fillimin e seancave dëgjimore, por gjithçka u stopua në momentin e mbërritjes së kryetares demokrate të komisionit.
Albana Vokshi dhe Petrit Vasili u lejuan që të hynin në sallën e Kuvendit pasi nuk ishin në masën ndëshkuese të përjashtimit. Ata kërkuan ndërprerjen e punimeve duke i konsideruar veprimet e socialistëve si antiligjore, cka u përkthye në luftë mikrofonash. Këtë sjellje Plarent Ndreca e cilësoi rrugaçëri.
Si për të plotësuar korin e ofendimeve, në sallë hyri edhe Erion Braçe i bezdisur nga debati me tone të larta që e kishte shkëputur nga puna në zyrë.
Për mbi dy orë Albana Vokshi bëri rezistencë që seanca të mos zhvillohej duke e cilësuar veprimin e Plaren Ndrecës si uzurpim të karriges së kryetarit të Komisionit dhe në ndihmë kërkoi gardën, shkruan A2 CNN. Garda nuk iu bind kryetares së komisionit, por porosive që vinin nga shumica socialiste.
Presioni me forcën e kartonit bëri që socialistët të zhvillonin seanca dëgjimore me dëshmitarët, pavarësisht kundërshtisë së Alban Vokshit e cila përpara se sa të largohej i hoqi për herë të fundit edhe fjalën Plarent Ndrecës. (A2 Televizion)