Ekonomia franceze në vështirësi, PBB-ja bie me 0.1%, ministri paralajmëron: Rrezikojmë të futemi në krizë

Nga A2 CNN
30 Tetor 2026, 10:57 | Bota

Ekonomia franceze në vështirësi, PBB-ja bie me 0.1%, ministri

Ekonomia franceze po përballet me vështirësi të reja, pasi Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u tkurr me 0.1% gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026.

Ministri francez i Ekonomisë, Roland Lescure, ka paralajmëruar se vendi mund të përballet me një situatë të vështirë ekonomike nëse nuk arrihet të miratohet buxheti dhe të ulen shpenzimet publike.

“Nëse nuk arrijmë konsolidimin financiar që kemi parashikuar në buxhet, do të gjendemi në një pozicion të vështirë”, deklaroi ministri.

Situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak të bllokimit politik në Asamblenë Kombëtare Franceze, ku mungesa e një shumice parlamentare e ka vështirësuar miratimin e projektbuxhetit për vitin 2027.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave të Francës (Insee), rritja ekonomike për vitin 2027 pritet të mos kalojë 0.5%.

Një nga arsyet kryesore të tkurrjes ekonomike është rënia e eksporteve me 1.7%, pas rritjes së tyre me 2.8% në tremujorin e mëparshëm.

Ndërkohë, konsumi i familjeve shënoi një rritje të lehtë prej 0.4%, kryesisht falë blerjeve të makinave elektrike dhe rritjes së shpenzimeve për shërbime, turizëm dhe argëtim.

Nga ana tjetër, investimet vijuan të bien me 0.6%, ndërsa sektori i ndërtimit regjistroi gjithashtu rënie. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos