“Barazimi ne vota, Gjykata pezulloi veten”, Berisha: Rama po shkel Kushtetutën, po bën grusht shteti 

Nga Arestina Skënderi
9 Shkurt 2026, 15:20 | Politikë

Sali Berisha akuzon Edi Ramën për shkelje flagrante të Kushtetutës, duke e cilësuar paralajmërimin për ndryshimin e ligjit në mbrojtje të Belinda Ballukut si grusht shteti. Kreu i opozitës theksoi se Partia Demokratike nuk do të japë asnjë votë për ndryshimet ligjore. Një ditë para protestës së 10 shkurtit, Berisha fton qytetarët të dalin masivisht në shesh kundër asaj që ai e quan kapje e shtetit.

Qëndrimin e kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Sali Berisha e sheh si mbrojtje për Belinda Ballukun, duke shkuar deri në pikën e ndryshimit të ligjit, që sipas tij është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe grusht shteti.  “Shkelje flagrante dhe grusht shteti është kur ndryshon ligjin për të mbrojtur një person që po hetohet”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Pavarësisht se në mbledhjen me deputetët e PS-së Edi Rama tha se nuk do të preket paketa e reformës në drejtësi, kreu i opozitës deklaroi se nëse do të ketë ndonjë tentativë për ndryshime ligjore, deputetët demokratë do të votojnë kundër.

“Asnjë votë nuk do të ketë. Ne kemi dialog konstant me qytetarët dhe i ftojmë ata me guximin e tyre t’u tregojnë vendin këtyre narkoqeveritarëve, që nuk kanë asnjë normë apo parim tjetër, përveç vjedhjes së qytetarëve”, tha Berisha.

Ndërkohë, edhe pse Gjykata, me mosmarrjen e një vendimi, la në fuqi pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, sipas Berishës, vendimi 4 me 4 i Gjykatës Kushtetuese tregon ndikimin politik të Edi Ramës mbi gjyqtarët.

“Lubia mbeti e pezulluar, por gjykata pezulloi veten e vet. Ndodhi një akt i rëndë, që në aparencë edhe qëndron, por probabilistët japin një fakt tronditës: në probabilitet kjo ndodh një herë në 500 raste, kurse këtu ndodh një në dy herë. E kuptoni sa i tmerrshëm është veprimi politik, ndikimi mbi gjykatën? Kjo është dëshmi edhe njëherë e paralizës së Gjykatës Kushtetuese nga ekzekutivi”, tha Berisha.

Berisha komentoi edhe vizitën e Edi Ramës në Bruksel pasditen e të hënës, duke deklaruar se kryeministrit do t’i jepet një mesazh i qartë.

“Sipas medieve, sepse zyrtarisht nuk dihet, Rama është thirrur drejtpërdrejt nga numri një i Këshillit të BE për t’i komunikuar qëndrimin e prerë të BE ndaj qëndrimeve të tij antikushtetuese dhe antidemokratike, si dhe ndaj zotimit të tij për të vazhduar grushtin e shtetit. Ai shkon në Bruksel me ‘fustanin e Lubi Ballukut’, në kuptimin që shkon si avokat i turpshëm i saj, por në fakt për të mbrojtur veten”, u shpreh kreu i PD.

Një ditë para protestës së 10 shkurtit, Sali Berisha ftoi edhe njëherë të gjithë shqiptarët të marrin pjesë masivisht në tubimin e demokratëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos