Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi masën e pezullimit të Belinda Ballukut si zëvendëskryeministre dhe ministre për energjinë dhe infrastrukturën, Edi Rama ka mbledhur grupin parlamentar ku u ka dhënë porositë deputetëve.
Burime për A2 CNN, bëjnë me dije se Rama në mbledhjen me dyert të mbyllura u ka thënë të tijve që për rastin Balluku do të konsultohet me praktikat më të mira ndërkombëtare, duke shtuar se Reforma në Drejtësi nuk do të preket. “Aq më tepër që nuk është as vendi dhe as koha”, ka u ka thënë Rama deputetëve.
Por kreu i ekzekutivit zgjodhi që sqarimet publike t’i jepte po vetë, me anë të një shënimi në mediat sociale. Duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si jo shterues, nëse mund të pezullohet një ministër apo jo, Rama paralajmëron ndryshime ligjore.
Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.
Edi Rama | Kryeministër i Shqipërisë
Ndërhyrjet ligjore duket se do të prekin Kodin e Procedurës Penale dhe nenin 242 pika 2, që flet për personat që mbrohen nga masa e pezullimit, ku tashmë nuk mund të vendoset kjo masë vetëm për të zgjedhurit elektoralë.
Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrsesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.
Edi Rama | Kryeministër i Shqipërisë
Pezull në Kuvend ka mbetur edhe një kërkesë e SPAK, ku kërkon heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, por Rama thotë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të pezullimit, një vendim “made in Albania, siç e quan ai, mazhoranca nuk ka asnjë urgjencë për ta shqyrtuar dhe do të marrë kohën e nevojshme për këtë.
E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit. Një shtesë nga ana ime: SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen.
Edi Rama | Kryeministër i Shqipërisë
Teksa garanton mospengimin e hetimeve të SPAK dhe njeh masën e pezullimit, kryeministri lë pa sqaruar nëse do të ketë ndryshime në qeveri. (A2 Televizion)