Bardhi akuzon Ramën për pengim të drejtësisë, kërkon mbledhje urgjente për Ballukun

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2025, 12:23 | Politikë

Bardhi akuzon Ramën për pengim të drejtësisë,

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama për pengim të drejtësisë, lidhur me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku.

Gjatë një konference për shtyp, Bardhi theksoi se është herë e parë që mbledhja e Këshillit të Mandateve shtyhet pa caktuar një datë tjetër, duke e cilësuar këtë veprim si tentativë të qëllimshme për zvarritje.

“Këshilli i Mandateve është mbledhur gjithmonë brenda 48 orëve dhe ka marrë vendim brenda 72 orësh. Ky është rasti i parë që mbyllet mbledhja pa caktuar mbledhje tjetër. Po tentohet të zvarritet ngjarja”, deklaroi Bardhi.

Ai bëri të ditur se PD ka marrë tashmë dosjen e plotë nga Prokuroria, duke shtuar se gjatë mbledhjes janë bërë përpjekje për të intimiduar prokurorët e SPAK.

“Për 5 herë u tentua të intimidoheshin prokurorët që të pohonin se deputetët nuk mund të merrnin materiale. Dua të vlerësoj integritetin e tyre”, tha Bardhi.

Ai i bëri thirrje kryeministrit Rama të heqë dorë nga, siç tha, “avokatia politike” ndaj Ballukut, ndërsa kërkoi nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, mbledhjen urgjente të Këshillit të Mandateve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos